Disa ditë më parë, drejtuesi politik i PD në Tiranë Belind Këlliçi pati një takim të shkurtër me Donald Trumpin në SHBA, takim të cilin e dokumentoi përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale.
Por si arriti të takohej me Trump? Vetë Këlliçi, në një intervistë nga Nju Jorku me gazetarin Blendi Fevziu për emisionin Opinion në Tv Klan, sqaroi se ishte ftuar nga një senatore republikane në një tubim elektoral të Trumpit në Miçigan.
Këlliçi shpjegoi se takimi me Presidentin Trump zgjati 1 minutë dhe i foli për izolimin e kreut të PD, Sali Berisha.
Belind Këlliçi: Pata një ftesë për të shkuar dhe për të takuar nga afër Presidentin Trump, edhe si një shenjë falenderimi dhe mirënjohje për komunitetin shqiptar.
Blendi Fevziu: Ishte një dhënie dore e zakonshme? Sepse ju thonit që takova dhe bisedova me Trump. Tamam çfarë ishte? Se kjo mund të ndodhi duke qenë i pranishëm në një takim, mund t’i japësh dorën, mund të shkëmbesh një përshëndetje.
Belind Këlliçi: Nuk ndodh në mënyrë të rastësishme. Nuk bën vaki që në kushtet e sigurisë që Presidenti Trump është dhe ishte gjatë fushatës, nuk ndodh që të shkosh rastësisht te ai. Do duhet të dakordësohet stafi i tij i ngushtë që një person do të shkojë do ta takojë dhe do t’i rrëmbejë aq pak sekonda apo minuta nga koha e tij. Aty kemi qenë në tubim, para se të futej në tubim, dhe ka patur disa takime të ndara ku një prej tyre kam qenë edhe unë.
Blendi Fevziu: Sa ka zgjatur ky takim?
Belind Këlliçi: Maksimumi mund të ketë qenë 1 minutë, 1 minutë e pak sekonda. Ishte një përshëndetje në shenjë mirënjohje dhe në aq pak kohë sa pata mundësi të komunikoj me të, pata mundësi të flas për faktin që ajo çfarë ka ndodhur në SHBA me goditjen politike që i është bërë Presidentit Trump përmes proceseve të ndikuara gjyqësore, me përdorimin e sistemit të drejtësisë si një armë kundër kundërshtarit politik, gjë që sigurisht e aprovoi menjëherë dhe e ka vuajtur në kurriz me proceset e panumërta politike, unë hoqa një paralele dhe me atë çka ndodh në Shqipëri në rastin e PD dhe me liderin tonë të izoluar, me doktor Berishën. Kaq ka qenë e gjithë biseda. Me zero kosto.
/tvklan.al