Ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi u pyet për dy orë në Prokurorinë e Posaçme këtë të enjte. Në dalje, ai foli për mediat ku tregoi se ka dhënë të gjitha sqarimet për shkak se ka rrëzuar skemën korruptive të inceneratorit të Tiranës dhe atë që e quan si “banda 5D”.
“Kam dhënë të gjitha sqarimet e mia shteruese në raport me të gjitha shpifjet, mllefin, vrerin e hedhur ndaj meje për shkak se kam rrëzuar një skemë korruptive me vlerën 1 miliard Euro, inceneratorin e Tiranës dhe kam rrëzuar bandën më të madhe të hajdutëve që ka parë ndonjëherë shteti shqiptar dhe Ballkani Perëndimor, banda 5D, kreu i së cilës para pak çastesh më njoftojnë që ka dalë nga kolegët e tij dhe trokitësit në institucionin e Prokurorisë së Posaçme. Jam i hapur dhe në dispozicion të drejtësisë për çdo pyetje, sqarim të mëtejshëm, detajim që mund të ketë në raport me mua, Belind Këlliçin, familjen time, apo këdo që është person i lidhur me mua, që nga dita që unë kam lindur më 25.01.1987, deri sot më 26 Dhjetor të vitit 2024”, tha Këlliçi.
Ai sqaroi se është pyetur për gjithçka, por nuk dha detaje nga hetimi pasi i është kërkuar nga SPAK që të mos bëjë publike disa pjesë të asaj që po hetohet.
“Më është kërkuar për disa detaje të hetimit të mos shprehem publikisht. Për çdo gjë, për partneren time, që unë dal në media dhe them nuk bashkëjetoj me të dhe nuk jemi bashkë dhe ajo po kujdeset për familjen e saj. Pyetem sikur kam deklaruar që bashkëjetoj me të. Të gjitha deklaratat e rreme që janë bërë me mua, për çdo gjë. Për Trump-in. Jam pyetur që kam paguar dhjetëra mijëra euro për të bërë një foto me presidentin e SHBa. Të pyesin Trump, ça të them unë. Unë i kam dhënë deklaratat kam thënë, e kam sqaruar që ka pasur zero kosto financiare. Jam pyetur për gjithçka”, tha Këlliçi.
Ai u shpreh se askush nuk mund ta intimidojë në rrugëtimin e tij për të bërë drejtësi në vend. Thirrjen e tij në SPAK e konsideron si mekanizëm për të zhvendosur vëmendjen nga lajmi i ditës, që sipas tij është thirrja e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Kushdo që mendon se do të më intimidojë në rrugëtimin tim qytetar, jo vetëm politik, por qytetar mbi të gjitha, për të bërë drejtësi të më dalë ballë për ballë, të jap çdo lloj sqarimi. Të mos përdorin këto mekanizma për të mos zhvendosur dhe vëmendjen nga lajmi i ditës”, tha Këlliçi. /tvklan.al