Presidenti Emmanuel Macron: Britania e Madhe nuk ësht serioze në trajtimin e krizës së emigrantëve
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin i tha homologes së tij britanike Priti Patel se nuk është e mirëpritur në bisedime pasi Franca është zhgënjyer nga letra e Kryeministrit Boris Johnson drejtuar Presidentit Emmanuel Macron.
Vdekja e dhjetra emigrantëve në Kanalin Anglez ka bërë që të dy vendet të shkëmbejnë akuza duke çuar në përshkallëzimin e krizës politike mes Londrës dhe Parisit.
Kryeministri Johnson i bëri thirrje Francës që të fillojë menjëherë të marrë përsëri të gjithë emigrantët që zbarkojnë në Angli pasi kalojnë Kanalin duke thënë se kjo “do të reduktonte ndjeshëm kalimet ilegale”. Sipas Jonson kjo do të shpëtonte mijëra jetë njerëzish.
Lidhur me letrën e dërguar ka reaguar Presidenti Emmanuel Macron i cili tha se Londra nuk është serioze në trajtimin e krizës së emigrantëve.
“Jam i surprizuar kur gjërat nuk bëhen seriozisht, liderat nuk komunikojnë përmes postimeve dhe apo letrave”, u shpreh ai gjatë një konference të përbashkët me Kryeministrin italian Mario Draghi.
Fundosja e gomones me emigrantë të mërkurën, ka regjistruar incidentin me numrin më të madh të viktimave pasi në mesin e tyre kishte edhe gra e fëmijë.
Sipas të dhënave të autoriteteve franceze, 31,500 persona kanë tentuar të kalojnë Kanalin drejt Britanisë prej fillimit të vitit dhe 7,800 persona janë shpëtuar në det.
Klan News