Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, i kërkoi Bashkimit Evropian, që të heqë regjimin e vizave për rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.
Një kërkesë të tillë, Fratini gjatë një mbledhjeje të radhës në Bruksel, e bëri duke u bazuar në plotësimin e kushteve paraprake nga ana e vendeve të rajonit.
Kreu i diplomacisë italiane, vlerëson se vendet e rajonit i kanë realizuar kushtet paraprake. Ato gjenden në zemër të Evropës jo vetëm me pozitën e tyre gjeografike, por edhe me mentalitetet.
Sipas tij liberalizimi i vizave dhe procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është i domosdoshëm, ai duhet të kryhet sa më shpejtë, që të jetë e mundur.
Prej kohësh diplomatë të huaj të vendeve anëtare të Bllokut lëshojnë sinjale pozitive për liberalizimin e vizave me vendet që kërkojnë të jenë pjesë e Brukselit.
Diplomacia e lartë evropiane, është shprehur në favor të heqjes së regjimit të vizave për Shqipërinë, por dhe për vendet e tjera të rajonit që i nënshtrohen ende këtij regjimi.
Për këtë parlamenti evropian miratoi dhe një rezolutë të posaçme, ku kërkohet që fillimisht, vendet e rajonit të heqin regjimin e vizave mes tyre dhe më pas, procesi të vijojë deri në liberalizimin me vendet e Bashkimit Evropian.
Shqipëria paraqiti zyrtarisht kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, më 28 Prill.
Ndërkohë që kryeministri Sali Berisha premtoi se shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht pa viza në të gjitha vendet e Bllokut, në vitin 2010.
Më konkretisht, kreu i qeverisë saktësoi se vizat do të liberalizohen në gjashtëmujorin e dytë të mandatit të dytë, që sipas tij do të fitojë mazhoranca në pushtet./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle