Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë sot përfundimisht tri projektligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një forcë me kapacitete ushtarake.
Bëhet fjalë për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Të tri këto projektligje janë miratuar në parim gjatë muajit nëntor, më pastaj janë shqyrtuar nëpër komisione parlamentare dhe tani presin edhe miratimin final nga Kuvendi.
Partitë shumicë në Kuvendin e Kosovës tashmë kanë deklaruar se do ta mbështesin këtë transformim të FSK-së. Kurse, deputetët e Listës Serbe, që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë, janë pozicionuar kundër transformimit.
Nëpërmjet këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.
Transformimi i kësaj Force nuk arriti të sigurojë mbështetjen e plotë të NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha javën e kaluar se ky transformim po ndodh në një “kohë të papërshtatshme” dhe i tërhoqi vërejtjen Prishtinës se nëse do të ndërmarrë hapin e transformimit “do të përballet me pasoja”.
Por, në Prishtinë deklarata të tilla u panë si reflektim i qëndrimeve të disa vendeve anëtare të NATO-s, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës besojnë se e kanë mbështetjen e nevojshme të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake.
Për dallim nga NATO, e cila ka në përbërje të vet shumë shtete, Qeveria Amerikane përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se votimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën.
“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zhvillimin profesional dhe organizativ të FSK-së, që do të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar si karakterin multi-entik të shtetit, ashtu dhe dedikimin e popullit të Kosovës për paqe”,
ka thënë Kosnett.
Autoritetet e Kosovës janë zotuar në vazhdimësi se transformimi i FSK-së do të bëhet në koordinim me NATO-n dhe shtetet që Kosova i konsideron si aleate, duke veçuar sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përderisa Forca e Sigurisë së Kosovës do të nisë rrugën drejt shndërrimit në Ushtri, rolin dhe mandatin mbrojtës në Kosovë do të vazhdojë ta ketë forca paqeruajtëse dhe shumëkombëshe e KFOR-it.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in”.
“Prezenca e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”,
ka deklaruar Haradinaj.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në një raport të publikuar thotë se tranzicioni i FSK-së në ushtri nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm përderisa është një proces që do t’i marrë 7-10 vjet.
“Ndërtimi i kapaciteteve të saj sigurisht se pritet të bëhet bazuar në mbështetjen bilaterale të shteteve përderisa NATO, ashtu sikurse në rastin e mandatit aktual, ka një hapësirë shumë të ngushtë veprimi për shkak të mungesës së konsensusit. Mandati i kufizuar për qëllime të vetëmbrojtjes është në shërbim të ruajtjes së paqes, jo luftës”,
thekson QKSS-ja.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.
Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ndërkaq hapi tjetër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte që kjo Forcë të transformohej në Forcat e Armatosura të Kosovës. Por, një hap i tillë nuk arriti të realizohet për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë.
Prandaj, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së./REL