Dritë në fund të tunelit për Paul Pogba. Mesfushori është i pezulluar nga Shtatori i vitit 2023, për doping. “Makthi” do të marrë fund të Martën e 11 Marsit, ku skadon edhe pezullimi.
Fillimisht, Pogba u dënua me një pezullim të rëndë prej katër vitesh, por pasi çështja u shqyrtua nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, sanksioni iu ul në 18 muaj, duke i dhënë mundësinë të rikthehet në fushë shumë më shpejt nga sa pritej.
Me dënimin që tashmë ka përfunduar, mesfushori po studion alternativat për të ardhmen. Transferimi në një skuadër europiane duket i pamundur, për shkak se sezoni po shkon drejt fundit.
Opsioni më i mundshëm duket MLS në SHBA, kjo edhe për shkak se mesfushori kohët e fundit është parë nën shoqërinë e David Beckam, pronar i Inter Miami.
Në rast se arrihet një marrëveshje për tu transferuar te Inter Miami, Pogba do të gjente aty lojtarë të njohur si Lionel Messi, Sergio Busquets, Luis Suarez dhe Jordi Alba.
Një mundësi është edhe transferimi në Arabinë Saudite, aty ku kohët e fundit janë transferuar lojtarë më emër dhe Pogba mund të gjente ish-shokët e skuadrës, si Karim Benzema apo N’Golo Kante. /tvklan.al