578 kilogramë kanabis, 8 persona të arrestuar dhe një i shpallur në kërkim ka qenë bilanci i operacionit të koduar me emrin “Uraka 2” të policisë së Elbasanit. Sipas policisë, ky furgon i ngarkuar me kanabis po udhëtonte në drejtim të Pogradecit dhe Korçës, por mëngjesin e së mërkurës është ndaluar në fshatin Urakë, në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec pranë doganës së Qafë-Thanës.

Operacioni u finalizua pas marrjes së informacioneve nga antidroga në mënyrë operative, se me këtë furgon po trafikoj sasi e konsiderueshme droge. Në pranga u vu menjëherë shoferi i furgonit. Përveç drogës uniformat blu sekuestruan edhe dy automjete të tjera të marra me qira nga pjesëtarët e grupit në qytetin e Fierit, me të cilat shoqëronin furgonin.

Për të ndaluarit policia jep vetëm inicialet për të mos prishur hetimet ndërsa mësohet se ata janë Fieri, Pogradeci, Elbasani, Korça dhe Tirana. Janë sekuestruar edhe 14 telefona dhe një shumë prej 5800 euro. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe po punohet për identifikimin e tyre. Gjithashtu mësohet se droga do të trafikohej drejt Maqedonisë dhe Greqisë. Ndërkohë hetimet pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për “Trafikimi të narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal’’.

Tv Klan