Ish-kampioni i botës në peshat e rënda Tyson Fury, ka besim se do ta fitojë duelin kundër Oleksandër Usyk që do të zhvillohet më 21 dhjetor në Riad të Arabisë Saudite. Boksieri britanik është i vendosur për t’u hakmarrë për humbjen më 19 maj kundër ukrainasit, e para disfatë në 36 ndeshje në karrierën e tij.
“Ndihem shumë i sigurt për fitoren! Përgatitjet kanë qenë fantastike! Mezi sa po pres që ta godas atë në ndeshjen e së radhës. Jam më pak i shqetësuar sepse kam luftuar 12 raunde me të. Dhe e di se ai nuk mund të më bëjë asgjë! I marr ndeshjet një e nga një! Do fokusohem te dueli me Oleksandrin dhe çfarëdo që të ndodhë më pas, le të ndodhë!”
Usyk mundi Fury-n me një vendim të gjyqtarëve në duelin e tyre të parë, duke u bërë kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda me katër breza. Ai i mori titullin WBC britanikut, duke i bashkuar me titujt e tij WBA, WBO dhe IBF. Më vonë ai hoqi dorë nga brezi IBF, që në vazhdim u fitua nga britaniku Daniel Dubois.
Klan News