Oleksandr Usyk konfirmohet edhe njëherë mbret i boksit botëror. Në sfidën e luajtur në Arabinë Saudite ukrainasi ruajti tre titujt e tij si kampion i botës në peshat e rënda, teksa me pikë mposhti Tyson Fury.
Një triumf i jashtëzakonshëm nga ana e 37-vjeçarit, që ishte superior në ring, për të fituar me pikë 116-112.
“Ai është një luftëtar i madh. Është një paraqitje e shkëlqyer. 24 raunde të pabesueshme për karrierën time, ndaj Fury një boksieri të jashtëzakonshëm dhe një njeriu të madh”, tha Usyk.
I zhgënjyer për këtë vendim u shfaq Tayson Fury. 36-vjeçari ishte superior në raundin e pestë, por pa arritur të hedhë nokaut kundërshtarin.
“Mendova se i fitova të dy ndeshjet, por kam dy humbje në rekordin tim. Unë thjeshtë mund të luftoj me zemër dhe të bëj më të mirën që mundem. Por unë gjithmonë do të besoj deri në ditën që do vdes se e fitova këtë sfidë”, tha Fury.
Fitorja e Oleksandr Usyk dërgon në 23 numrin e triumfeve, 14 prej të cilave me nokaut teknik për të zgjatur ecurinë e një karriere fenomenale, e cila përfshin medaljen olimpike dhe titullin kampion të padiskutueshëm në peshën kruser.
Sfidë që i buzëqesh edhe financiarisht ukrainasit. Usyk fitoi rreth 108 milionë Euro, teksa për humbësin Fury përafërsisht 72 milionë Euro.
Tv Klan