Kryeministri Sali Berisha ka vijuar takimet për fushatën elektorale në Lezhë ku është pritur nga mijëra qytetar. Në fjalën e tij kreu i qeverisë është ndalur në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe aplikimi për në BE si dy ëndrra të hershme të gjithë shqiptarëve.  

Sali Berisha: “Si sot 4 vite në mblidhemi në këtë shesh pasi që  nga dita që mbylli sytë burri më i shquar i kombit tonë Skënderbeu, ne rikthyem Shqipërinë, rikthyem Lezhën dhe ëndrrën e tij evropiane. Lezha dhe Shqipëria janë sot anëtare të Aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur, anëtare të NATO-s.”

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek investimet e bëra në qarkun e Lezhës dhe në të gjithë vendin, duke thënë se në 4 vjet ato kanë qenë 12 herë më shumë se katër vite më parë. E në këtë kontekst, ai tha se Lezha dhe e gjithë Shqipëria do të jenë lider në tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkan.

Sali Berisha: “Vetëm Lezha, vetëm në rrethin tuaj, gjatë muajve të fundit kanë nisur investime rreth 2.5 miliardë euro dhe 1 miliardë të tjera janë në përgatitje e sipër. Lezha dhe Shqipëria do të jenë lider në tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkan, do të jenë njëshi në Evropë për rritjen ekonomike, njëshi në Evropë për thithjen e investimeve të huaja.”

Kryeministri Berisha ka kërkuar edhe njëherë që të gjithë qytetarëve të aplikojnë dhe të pajisen me letërnjoftime pasi në këtë mënyrë do të barazoheshim me qytetarë e vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Sali Berisha: “Dua t’ju bëj thirrje ju, i merrni letërnjoftimet e reja, janë fytyra jonë e re moderne ato na barazojnë ne me të gjithë qytetarët e vendeve më të zhvilluara evropiane. Ato i bëjnë zgjedhjet tona zgjedhje të shkëlqyera, të lira, të ndershme. Edhe njëherë ju ftoj javën që vjen të mos mbetet qytetar demokrat, socialist, republikan, qytetar i çdo bindje politike pa marrë letërnjoftimin.

Kreu i ekzekutivit nuk ka lënë pa i bërë përsëri  thirrje dhe kundërshtarit të tij kryetarit të partisë Socialiste Edi Rama për të kandiduar si deputet.

Sali Berisha: “Ftoj kryetarin e bashkisë së Tiranës që të shfrytëzoj shansin që po i jap. I mbeten edhe tre ditë dhe në rast se do, do t’ia ndryshoj ligjin që të dalë në krye të betejës, ashtu siç kërkon rregulli demokratik, ashtu siç kërkon tradita demokratike. Zoti Rama, unë dhe ti nuk mund t’i kërkojmë kurrkujt votën në qoftë se nuk e vëmë veten tonë në provë për këtë votë. Prandaj dhe dil, mos ki frikë, qytetarët do të japin ty dhe mua atë që meritojmë. Por ne duhet të jemi të përgatitur për verdiktin e tyre. Jo të fshihesh mbrapa karriges së bashkisë.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro