Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kreu i demokristianëve shqiptarë Nikollë Lesi prezantoi dje kandidatin e kësaj partie për kryetar komune në Kashnjet, ku kritikoi mazhorancën socialiste, që ka dy vjet që nuk po qeveris vendin, si pasojë e sherreve që kanë brenda kupolës së tyre. Shqiptarët nuk mund të rrinë peng i luftës së brendshme në PS, ka thënë në fjalën e tij Lesi.

Nikollë Lesi:- “Nuk mundet një parti politike, që është në qeverisje, të drejtojë vendin me përgjegjësi, kur brenda shtëpisë së vetë, brenda mazhorancës ka sherre. Ka dy vjet që janë në sherre me njëri-tjetrin”.

Në Shqipëri një forcë politike kur kalon dy mandate në pushtet, fillon dhe kalbëzohet, ka thënë në fjalën e tij Lesi, ndaj duhet ndërruar pushteti politik në këto zgjedhje, në mënyrë që të balancohen pushtetet. 

Kandidati për kryetar bashkie i Partisë Demokratike të Re për bashkinë e Tiranës, pati një takim me banorë të njësisë bashkiake nr.1, ku ai prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj minibashkie zotin Vangjel Kondo. Çollaku në fjalën e tij ndër të tjera theksoi, se ne jemi futur në këtë garë me misionin për të kthyer opozitën në mazhorancë dhe për të larguar qeverisjen e mbrapsht të socialistëve. Ne jemi këtu, ka thënë Çollaku për të thënë se ka dhe një opozitë të re, që ofron alternativa të vërteta.

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia, ka vazhduar turin e tij elektoral në qytetin e Fierit, ku ai ka prezantuar kandidaturat për të gjitha njësitë vendore të këtij rrethi. Sipas Spahiut, kandidaturat e PLL ofrojnë përkushtim, ndershmëri, aftësi e transparencë të plotë në menaxhimin e fondeve publike. Kandidatëve legalistë u kanë shprehur mbështetjen e tyre edhe shoqatat kombëtare “Kosova”, “Çamëria”, si dhe shoqatat e ish-të përndjekurve politikë./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora