Uashingtoni nuk ka bërë asnjë sugjerim ndaj qeverisë shqiptare përsa i përket ligjit të shumë debatuar të lustracionit. Kështu ka deklaruar zëvendës ndihmës sekretari i shtetit Stjuard Jones, pas takimit të kryeministrit Sali Berisha me sekretaren e shtetit Hillary Clinton.

Ne nuk i bëmë asnjë sugjerim kryeministrit në lidhje më këtë ligj, por ai vetë na dha sugjerime të cilat ne i mirëpresim, qartësoi zëvendës ndihmës sekretari Jones për mediat.

Në deklaratën të tij Jones tha, se kryeministri Berisha e siguroi sekretaren e shtetit, se në lidhje me ligjin e dosjeve nuk do të ketë gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese, e se qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces.

Kryeministri Berisha ishte një ndër liderët e parë politik që u prit në një takim zyrtar nga zonja Clinton në Departamentin e Shtetit. Në bisedën e zhvilluar mes tyre u theksuan marrëdhëniet e ngrohta mes dy vendeve. Kryeministri e falënderoi sekretaren Clinton për mbështetjen e SHBA-së ndaj Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Ndërsa sekretarja Clinton shprehu entuziazmin e saj për pranimin e Shqipërisë në NATO.

Situata në Afganistan nuk ka mbetur jashtë vëmendjes, kreu i ekzekutivit vuri në dijeni sekretaren amerikane të shtetit, se Shqipëria është e gatshme për të dërguar trupa shtesë drejt Afganistanit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle