Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës gjatë pasdites, Partia Balli Kombëtar Demokrat hapi fushatën elektorale për zgjedhjet lokale 2003. Larg polemikave të partive kryesore në vend, partia e Hysen Selfos e orientuar në spektrin e djathtë, vjen në këto 17 ditë fushatë intensive, me moton ”Për një shtet të lirë dhe perëndimor për të gjithë shqiptarët”, duke kërkuar nga elektorati i Ballit Kombëtar Demokrat, votat në 12 Tetor, për kandidatët e bashkive dhe komunave në të gjithë Shqipërinë.
Drejtuesit më të lartë të Partisë Lëvizja e Legalitetit përsëri zbritën në Kuçovë, për t’ju dhënë mbështetje politike kandidatëve të saj që kandidojnë në të gjitha njësitë vendore të këtij rrethi. Zoti Spahia, mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve ndër të tjerave tha, se nëpërmjet votës suaj, të cilën e keni ju në dorë, duhet ta ushtroni atë për të ndryshuar jetën tuaj dhe jo jetën e kryetarëve të bashkive dhe komunave.
Ekrem Spahia:- “Pra ju mos mendoni të ndryshoni jetën e kryetarëve të bashkive dhe komunave, ju mos mendoni të ndryshoni jetën e deputetëve dhe qeveritarëve, ju me votën tuaj duhet të ndryshoni vetëm të ardhmen tuaj”.
Shqipëria nuk rregullohet duke bërtitur e premtuar tribunave politike, por duke debatuar e dëgjuar ankesat e votuesve është shprehur kryetari demokristian Nikollë Lesi, në komunën malore të Kurbneshit në Mirditë. Ai ka sulmuar ashpër dy liderët e partive kryesore, të cilët në vend që të kuvendojnë me votuesit për hallet e tyre, organizojnë vetëm mitingje që janë show politike.
Nikollë Lesi:- “Është kthyer metodë shumë e keqe në Shqipëri fushata, vihet, bërtitet, mbahet fjalim, premtohet dhe iket dhe pastaj s’duket asnjë lider partie më”.
Ndërsa në komunën e Prosekut, kryetari i PDK iu tha votuesve, se duhet ndryshuar skema politike në Tiranë. Të kalojmë nga sistemi dypartiak në pluralizmin e vërtetë, përfundoi Lesi në Mirditë.
Bashkia Delvinë duhet të ketë më shumë kompetenca mbi arsimin dhe shëndetësinë, kur është fjala për shkollimin dhe shëndetin e njerëzve tuaj, ju e bëni më mirë se ministrat në Tiranë, pasi jeni vetë të interesuar. Kryetari i PDR ka bërë këtë hyrje përpara prezantimit të kandidatit në Delvinë Sali Alimani. Më tej ai ka vazhduar turin në Himarë, ku ka prezantuar kandidatin Nesti Dhimojani.
Genc Pollo:- “Nesti Dhimojani në Himarë është kandidati i gjithë demokratëve dhe unë do të falënderoja jo vetëm strukturat e PDR-së, por dhe ata anëtarë e seksione të PD së vjetër, që përkrahin Nesti Dhimojanin dhe nuk mbështetën gafat e udhëheqjes së tyre”.
Ndërsa në Sarandë, kreu i demokratëve të rinj ka apeluar që ky qytet të shpëtojë nga shitja shumë herë e trojeve. Në Sarandë për PDR është prezantuar kandidati Sali Alimena./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti