Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kjo ishte atmosfera në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku Partia Socialiste mbyll 40 ditët e fushatës elektorale. Kryetari aktual dhe njëkohësisht kandidat për bashkinë e kryeqytetit Edi Rama i mbështetur nga kryeministri Fatos Nano dhe ministrat socialistë të kabinetit qeveritar, siguroi simpatizantët e PS, që fitorja e 12 Tetorit do të jetë më e madhe se ajo e tre viteve më parë.

Edi Rama:- “Më kujtohet që tre vjet më parë në takimin përmbyllës të fushatës elektorale më shpëtoi një Ooo e gjatë, e cila u bë shkas për shumë kritika edhe nga miqtë e mi, tre vjet më vonë, unë jo vetëm e kam nxjerrë mësimin nga këto kritika, por se kemi më as mundësinë ta përsërisim, por mund të themi vetëm kaq, “ike plaku Mere, ike, ike me gjithë tespihet avokat”. Gjatë fushatës që sapo po mbyllet, ne nuk bëmë premtime të pamenduara, por megjithatë, ne premtuam më shumë se sa kundërshtarët tanë. Ne premtuam më shumë, sepse gjithçka ne premtuam, ne do ta bëjmë realitet, kurse gjithçka ata premtuan, ishin thjeshtë premtime në erë, që mund t’i bëjnë vetëm ata që janë fare të qartë, se nuk mund ta marrin kurrë votën e shumicës së këtij qyteti”.

Shefi i mazhorancës socialiste Fatos Nano, në mbylljen zyrtare të fushatës elektorale, u shpreh i bindur, se pas dy ditësh nga veriu në jug, pasi edhe në bazë të një sondazhi, PS ka fituar sipas tij, ¾ e bashkive dhe 2/4 e komunave në të gjithë Shqipërinë, duke qenë me 21 pikë avantazh nga Berisha.

Kryeministri Fatos Nano:- “Ne kemi dëshmuar, që dimë të punojmë me ju dhe do të vazhdojmë të punojmë me ju. Para tre vjetësh, jo të gjithë zgjedhësit votuan për socialistët, por padyshim, që të gjithë jetuan si demokratë. Ne mbetemi e vetmja forcë politike, ku çdo premtim të dhënë në qeverisje e kemi premtim të realizuar”.

Mijëra simpatizantë të PS, u drejtuan më pas në Parkun Rinia në kryeqytet, ku në ditën e mbylljes së fushatës, Bashkia e Tiranës inauguroi shatërvanin e rikonstruktuar. Ky shatërvan është i pajisur me 230 ndriçues dhe 40 pompa. Në bazë të muzikës në shatërvan, realizohen 50 hedhje uji./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini