Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervista nga anëtarët e Partisë Socialiste, Luan Rama, Ilir Zela dhe Hamdi Jupe për incidentet në fushatën për kreun e PS.

Gazetari:- Është e vërtetë që ato 10 forca speciale nga Vlora nuk kanë qenë të pranishme në sallë siç pretendon zoti Malaj?

Ilir Zela, deputet i PS:- “Absolutisht jo nuk ka pasur prezencë tjetër në sallë përveç delegatëve dhe të ftuarve të konferencës. Sigurisht që jashtë sallës ka pasur njerëz që kryejnë detyra për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore. Ju e dini që në Konferencën tonë dje ka qenë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste që është Kryeministër i Shqipërisë, ka qenë Ministri i Rendit, ka qenë ish-Kryeministri i Shqipërisë, dhe të gjithë këto janë personalitete që sigurohen me ligj”.

Gazetari:- Do kenë qenë njerëz të Gardës?

Ilir Zela, deputet i PS:- “Kanë qenë njerëz të ngarkuar me detyra për sigurimin e atyre personaliteteve që sapo ju thashë”.  

Hamdi Jupe, deputet i PS:- “Unë nuk i njoh forcat speciale, nuk njoh se nga janë forcat speciale, mendoj se Tirana ka mjaft forca speciale dhe kështu nuk ishte nevoja pse të vinin forcat speciale nga Vlora”.

Gazetarja:- Zoti Jupe e mohoni faktin se dje në Konferencë ka pasur tensione midis dy kraheve, përkrahësve të Majkos dhe të Nanos?

Hamdi Jupe, deputet i PS:- “Kishte tension kjo është e natyrshme, ky tension ka shoqëruar gjithe fushatën e konferencave. Në momente të caktuara kishte tone më të larta por mendoj së çdo gjë kaloi pa pasoja të rënda”.

Luan Rama, Sekretari i PS:- “Degjova dhe mësova se në hollet e Pallatit të Kulturës ku zhvillohej konferenca janë identifikuar disa persona që nuk ishin pjestarë të auditorit socialist. Madje i kam parë dhe vetë disa nga këta persona dhe e quaj një veprim të turpshëm dhe një provokim të rëndë që i bëhet Konferencës së socialisteve të Tiranës, pasi kemi të bëjmë me shkelje flagrante të ligjit jo vetëm për forcat e rendit por dhe të ligjit për forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Une besoj se socialistët e Tiranës pikë së pari që janë më të interesuarit dhe forumet drejtuese të partisë do të kërkojnë përgjegjësinë për këtë e cila është e fiksuar në ligj, pasi forcat e ndërhyrjes së shpejtë janë forcë rezerve e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe nuk mund të levizin nga një rreth në tjetrin pa urdherin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”.

Gazetarja:- Ç’do të thotë kjo për ju?

Luan Rama, Sekretari i PS:- “Kjo do të thotë për mua që Shteti vazhdon të përdorë mekanizmat e veta në kundërshtim me ligjin duke interferuar në veprimtaritë partiake”./tvklan.al

Gazetarët – Ornela Bego, Vladimir Lame