Një person është gjetur i vrarë dhe i djegur brenda një automjeti në fshatin Derven të Fushë- Krujës. Sipas policisë, mjeti rezulton të jetë në pronësi të një shtetasi nga Kosova, me identitetin Xhaferr Osmani, 57 vjeç.

Grupi hetimor ka dyshime se viktima mund të jetë shtetasi kosovar, por do të jetë krahasimi i gjurmëve biologjike të viktimës dhe familjarëve të të dyshuarit nëpërmjet ekspertizës së ADN-së do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me shtetasin Xhaferr Osmani ose jo.

Drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, mes tyre dhe Drejtori i Krimeve të Rënda, Niko Brahimaj ndodhen aktualisht në vendin e ngjarjes.

Siç duket nga pamjet e sjella për tvklan.al nga gazetari Spartak Koka, makina ku ndodhej viktima është djegur tërësisht.

 Edhe ekspertë mjekoligjorë, kriminalistë dhe specialistë të shërbimit zjarrfikës ndodhen aktualisht në vendngjarje.

Njoftimi i policisë:

Më datë 05.05.2018, në Derven, në fundin e një toke është djegur një mjet.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu, të cilët gjatë kqyrjes së mjetit kanë dalluar mbetje të një shtetasi të djegur, ende të paidentifikuar.

Specialistët për Krimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë po punojnë për identifikimin e personit të djegur dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.

/tvklan.al