Puntata e rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan mbyllet me fundin e martesës 38-vjeçare të Llambit e Donikës. Deri në fund, Donika mbron familjarët duke mohuar e hedhur poshtë akuzat e Llambit se prokura që vjehrri i tij i ndjerë i kishte lënë, është keqpërdorur prej tyre.
Ai është i rënduar nga shpifjet dhe akuzat e shumta ndaj tij. Sërish Llambi numëron problematikat e tyre dhe i kërkon që ta zgjidhë problemin me nipin që ai t’i lirojë shtëpinë, të paguajë edhe shpenzimet ose mes tyre vjen fundi. Donika duket se zgjedh alternativën e dytë dhe i thotë “ik”. Llambi mbledh gjërat dhe bëhet gati për t’u larguar.
Llambi: Znj. Eni, e shikoj që kjo zonjë nuk ka as kthim, as të më vlerësojë punën time, por mbro kunatën tënde, mbaj nipin tënd se mua dhe fëmijët e mi, jam unë i zoti!
Donika: Te fëmijët e mi kam pjesë edhe unë, i kam rritur, i kam edukuar, i kam shkolluar!
Llambi: Unë nuk i mbaj dot më përsipër të gjitha shpifjet, të gjitha padrejtësitë sepse nëse unë do të vija në atë parcelë, të më dilte përpara ai nipi yt, ti e dije si do të përfundonte muhabeti! Dhe po që aq i zoti të më dalë se ka bërë edhe kërcënime! Të më vijë, e pres me kënaqësitë më vijë! Znj. Eni, të jap dorën, mirupafshim!
Moderatori i programit, Ardit Gjebrea e ndalon Llambin duke i bërë të ditur se publiku ka votuar. Ai pret të shohë vendimin, i cili është në favor të tij. Ai përmend edhe faktin që drejt tij ka një tjetër shpifje, sikur pusi që familjarët e Donikës kanë hapur, është tentativë e Llambit për të vrarë kunatën e saj. Donika nuk thotë asnjë fjalë, ndaj Llambi dorëzohet dhe braktis studion.
Llambi: Unë shoh se s’po mundem sot me këtë! Unë po bëj kohë që kjo thotë vetëm nipi i saj dhe kunata e saj kanë të drejtë. Unë po largohem!
Donika: Ke 38 vjet me mua! Sot do ta shkatërrosh familjen ti? Me 4 fëmijë, me 6 nipër e mbesa?
Llambi: Këtë e ke bërë ti që nga dita e parë e shkeljes së asaj kontratës dhe asaj prokure. Ti edhe sot po mbron ata! Nuk po më jep të drejtë! Ti nuk po më jep të drejtë! Të gjithë gabojnë, nuk ka njeri të mos gabojë, i pagabueshëm s’është asnjë në këtë botë, por ai që nuk kthen ai është më i gabuar akoma! Ika znj. Eni, ju falenderoj për mikpritjen! Z. Ardit, kënaqësi që u takuam!
Donika: Rrugë e mbarë të qoftë!/tvklan.al