Institucioni financiar italian me një eksperiencë 200-vjeçare “Cassa Depositi e Prestiti” do të asistojë qeverinë shqiptare dhe më pas, bashkëmenaxhojë me eksperten shqiptare, Bankën Shqiptare të Zhvillimit.
Qeveria, siç njoftoi Kryeministri është duke hartuar projektligjin për ndërtimin e kësaj banke, e cila do të menaxhojë fonde që do të krijohen nga grantet, huatë dhe do të financojë projekte në sektorët kyç të ekonomisë në mënyrë të veçantë, bujqësisë.
“Falë bashkëpunimit me prestigjiozen “Cassa Depositi e Prestiti” në Itali, një institucion financiar që bënë pjesë në gjerdanin e ekselencave italiane jemi gati t’ia shtojmë Shqipërisë këtë motor zhvillimi. Projekti është bindës dhe do të hidhet së shpejti për konsultim publik, banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro-italiane dhe do të asistohet nga afër nga partnerët e Cassa Depositi e Prestiti për të garantuar një qeverisje të pavarur dhe të suksesshme”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që një tjetër program që synon mbështetjen e bujqësisë është garancia sovrane që qeveria shqiptare do të vendosë në dispozicion të skemës së Bankës së Shqipërisë për programin që kjo e fundit ka miratuar për kreditë e buta për biznesin e vogël dhe të mesëm.
“Banka e Shqipërisë sapo ka miratuar një linjë të re financimi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus kryesor tek bujqësia, 250 milionë euro. Kemi diskutuar që ta mbështesim nga qeveria këtë ligj financimi edhe me një garanci sovrane, ky është volumi më i lartë i vënë në mbështetje me kredi të buta”, tha Rama
Programi i Bankës së Shqipërisë parashikohen që bizneset e vogla e të mesme të marrin kredi deri në 250 mijë Euro për investime, me normë interesi deri në 3.5%. Por siç dhe Banka ka deklaruar, garancia sovrane e qeverisë do të ndikojë që norma e interesit mund të ulet deri në 2% për kreditë që do të jepen këto kategori të biznesit.
Tv Klan