Rreth 70 kilometër vijë bregdetare në plazhin e Divjakës po i nënshtrohet një pastrimi tërësor, për të qenë gati për sezonin turistik.
Aksioni i punonjësve të ndërmarrjes komunale për heqjen e leshterikëve dhe mbeturinave ka përfshirë të gjithë sipërfaqen e plazhit prej 80 ha.
Violeta Gjoci: “Ka filluar shumë shpejt në krahasim me vitet e tjera pastrimi i të gjithë territorit të rërës. Gjithë sasia e mbeturinave që grumbullojnë punëtorët në bregun e detit largohet me mjetet e ndërmarrjes komunale gati 3 ton në ditë”.
Një fond prej 170 milionë lekësh nga buxheti i shtetit ka bërë të mundur fillimin e investimit për zgjerimin e rrugës hyrëse ne këtë plazh.
Banorët thonë se ky investim do t’i japë një tjetër impuls zhvillimit të zonës dhe rritjes së numrit të turistëve.
“Këto ditët e fundit është parë që ka pas shumë dyndje turistësh. Shpresojmë shumë nga rruga që të ketë më tepër pushues”.
“Mendoj që këtë vit bashkia e Divjakës po jep një ton në drejtim të përkushtimit për thërritjen e turistëve, qoftë të vendit, qoftë edhe të huaj”.
Plazhi i Divjakës pret çdo vit vizitorë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe përveç ujit të pastër shquhet edhe për natyrën e bukur./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo