E ndërsa temperaturat e larta na tërheqin gjithmonë e më shumë drejt plazheve është momenti kur dëshira për të pasur një trup të bukur bëhet më e pranishme e njëkohësisht po kaq i pranishëm është edhe tundimi drejt ushqimeve.

Megjithatë duket se për të gjetur balancën me pak vullnet nuk është e vështirë.

Blerina Bombaj: “Ushqimet duhet të jenë të lehta në sasi, dmth, në volumin e vaktit që ne marrim, por dhe në llojin e ushqimit që ne zgjedhim, pra të hamë sa më lehtë në ditët e nxehta të verës. Duhet të konsumojmë vakte te vogla dhe të shpeshta, gjë që ndihmon që ne të ushqehemi mjaftueshëm gjatë ditës, dmth, mos të kemi mangësi në sasinë e kalorive që duhet të marrim dhe të nutrientëve që duhet të marrim”.

Dietologia sugjeron që në këto ditë të nxehta t’u japim përparësi frutave dhe sallatave që nuk duhet të mungojnë në tryezë.

Blerina Bombaj: “Frutat të mos i neglizhojmë gjatë stinës së beharit, një adult flasim gjithmonë mund të konsumojë rreth dy feta të prera hollë bostan ose pjepër. Pijet kafeinike nuk duhet tepruar sepse ato nuk është se na freskojnë. Uji është shumë i rëndësishëm dhe hidratimi i mjaftueshëm është shumë i rëndësishëm në ditët e verës. Vakti kryesor që mund të jetë dreka, por mund të jetë dhe darka duhet të përmbajë patjetër një sallatë me shumë ngjyra zarzavatesh. Do të rekomandojmë që ne të konsumojmë ushqime, gjellët me lëng që janë nga zarzavatet dhe janë dhe të lehta dhe shumë të shëndetshme”.

Por kujdes me mishin, ndonëse kjo nuk do të thotë që duhet të kthehemi në vegjetarianë.

Blerina Bombaj: “Jo çdo ditë mish, dmth, mundësisht një herë në javë vetëm të gatuajmë mish dhe ditët e tjera të jetë peshk, mish pule dhe gjellë pa mish fare, ku mishin mund ta zëvendësojë pak djathë pa yndyrë dhe ai vakt bëhet mese i plotë dhe nga vlerat ushqyese. Buka nuk ndalohet edhe pse ne kemi idenë që buka na shëndosh ose buka na marr në qafë. Regjimi është mbi të gjitha që do të thotë çdo dite pak a shumë të njëjtat gjëra”.

Përsa u përket ëmbëlsirave më mirë zëvendësojeni me një akullore./tvklan.al

Gazetarja: Manjola Bregasi