Kjo është varka me të cilën 45-vjeçari, Vangjel Trungu dhe 58-vjeçari, Stavri Prendi, dolën për të mbledhur rrjetat e peshkimit në plazhin e Divjakës.
Mjeti i tyre lundrues u nxor në breg nga dallgët, ndërsa dy peshkatarët nuk mundën t’i shpëtojnë stuhisë detare që arriti deri në 6 ballë dhe përfshiu gjithë bregdetin.
Bashkë me ta ishin dhe disa peshkatarë të tjerë, të cilët vendosën momentin e fundit të mos lundrojnë në det të hapur.
“Se si u përmbys e di deti atë punë. Ne s’qemë atje ku e përmbysi deti. Po nuk kishim mundësi t’i ndihmojmë se s’na linte deti”.
“Në moment që dalim këtu shohim varkën aty përmbysët. Kthehem me varkën time, shkoj për të ndihmuar, deti ishte jashtë mundësive t’i ndihmonim dot. Ato po notonin të dy.”
Roja bregdetare ishte e para që dha sinjalin SOS, por kërkimi nga peshkatarët nuk mundi të fillojë deri në mesditë, si pasojë e erës së fortë dhe detit të trazuar.
Gazetare: “Ora është 13:00 dhe ende kërkimet për gjetjen e dy trupave të mbytur të peshkatarëve nuk kanë filluar. Kërkimet nuk mund të vazhdojnë pasi deti është mbi pesë ballë.”
Agron Sulshabani: “Guardia di Finanza nuk e ka marrë përsipër për arsye të dallgëve, të kohës së keqe. Po bashkëpunojmë me peshkatarët, të cilët e njohin dhe terrenin, me familjarët për të bërë të mundur gjetjen e kufomave.”
Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në portet detare të vendit. Në gjirin e Vlorës një anije mallrash humbi kontrollin dhe doli në breg, e shtyrë nga era e fortë.
Në portin e Durrësit dallgëzimi gjatë paradites arriti në 6 ballë. Autoritetet pezulluan përkohësisht lundrimet e tonazhit të rëndë dhe ngarkim-shkarkimin e mallrave, por me tragetet e udhëtarëve nuk ka patur probleme./tvklan.al
Gazetare: Anila Sefa