Shumë shpejt do të nisë puna për hapjen e shkollë “Ecole 42” te Piramida e Tiranës dhe implementimin e projektit “Plug & Play” ku Tirana do të jetë epiqendra për Europën Juglindore. Gjatë një takimi me kreun bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo shkollë do të përgatisë të rinjtë e Tiranës në fushën dixhitale.
Erion Veliaj: Këtë javë pas vendimeve të Këshillit Bashkiak ne do kalojmë te “Shkolla 42”, shkolla e famshme e Parisit me të cilën Kryeministri Rama dhe Presidenti Macron dakordësuan parimisht vjet, Këshilli Bashkiak e kaloi javën e kaluar. Kështu që me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan ne do të firmosim marrëveshjen e bashkëpunimit që ajo që fillon me “Micro Follie”, vazhdon me Tumon dhe për moshën mbi 18 vjeç të jetë “Shkolla 42” ajo që i përgatit të rinjtë e Tiranës. Jemi i vetmi qytet ku të gjitha këto kurse janë falas.
Michael Granoff: Jam i lumtur që ndodhem me Kryetarin e Bashkisë në fillim të mbledhjeve të Bordit të Fondacionit këtë javë në Shqipëri, duke filluar nga Tirana. Dhe është e vërtetë që bashkia dhe kryetari kanë krijuar një partneritet të rëndësishëm me Fondacionin. Dhe ne tani kemi krijuar një portofol të tërë projektesh, kemi programe thelbësore shumë të rëndësishme.
Veliaj u ndal edhe tek projekti që lidh Parkun e Tiranës dhe atë të Farkës, pa pasur nevojë të futesh në trafikun e kryeqytetit.
“Qershia mbi tortë është se ne kemi punuar në dy parqe, Parku i Liqenit të Tiranës dhe Parku i Liqenit të Farkës. Do të lidhim këto dy mushkëri me njëra-tjetrën dhe për t’u siguruar që një paketë me vizitorë mund të vizitojë Liqenin e Tiranës dhe të lidhet pa u futur nëpër trafik për të shkuar te Liqeni i Farkës.”
“Ecole 42”është një program edukimi në fushën e teknologjisë dhe revolucionit që do të jetë falas për të rinjtë mbi 18 vjeç edhe në rast se nuk kanë eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Ky program është i pranishëm në 31 shtete të tjera, dhe krijon vazhdimësi për të rinjtë që përfundojnë kurset e TUMO Tirana.
Tv Klan