Veliaj: Fillimisht nisim me tre linja kryesore që do të kenë autobusë elektrikë
Kryebashkiaku Erion Veliaj bashkë me Ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato, dhe ambasadorin gjerman, Karl Bergner, prezantojmë projektin “Transporti i Gjelbër në Tiranë”, një projekt që synon vënien në funksionim të sistemit të parë të transportit të shpejtë me autobusë elektrikë i cili do të zbatohen fillimisht në tre linja kryesore.
“Ky projekt do të transformojë tre linja kryesore në qytet, duke i bërë shumë herë më të shpejta; pra, nga 9 dhe 9.5 km në orë do të shkojmë në 20 km/orë. Do të kemi një hov të jashtëzakonshëm për sa i përket transportit publik në Tiranë. Sot jemi në një situatë ku do të fillojmë me tre akset kryesore, brenda këtij viti: Aksi i parë është Kinostudio-Kombinat; i dyti Tirana e Re; aksi i tretë është Unaza. Nëse një xhiro e plotë në Unazë sot bëhet për 54 minuta, me linjën e re urbane do të bëhet për 27 minuta. Sigurisht, do ia vlejë më shumë autobusi se sa një makinë private për të përshkuar Unazën”.
“Urbani”, kështu do të quhet linja e re e transportit të gjelbër në Tiranë tha Veliaj.
“Tashmë 145 stacione do të rimodelohen jo vetëm me brendin e ri “Urbani”, por edhe me tabelat elektronike, me parashikueshmërinë e çdo autobusi që vjen në stacion, me një çip që do të ketë çdo autobus që të dimë sa km janë bërë, për efekt të informimit të qytetarit, por edhe për efekt të subvencionit që ne duam të japim eventualisht për të mbështetur transportin publik”.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato tha BE do të qëndrojë në krah të Bashkisë në mënyrë që qyteti i Tiranës të përmbushë reformën e saj për t’u shndërruar në një qytet të gjelbër.
“Falë rrjetit të ri elektrik të autobusëve, sistemi i transportit publik do të jetë më i shpejtë, më i pastër, më tërheqës për qytetarët dhe për rrjedhojë do të ndihmojë në uljen e numrit të makinave në qytet. Ne vlerësojmë se projekti do të kontribuojë ndjeshëm në dekarbonizimin e qytetit dhe uljen e emetimeve të dëmshme, duke çuar në ajër më të pastër për të mirën e banorëve të Tiranës”.
Projekti i transportit të gjelbër është 110 milionë euro, prej të cilave 31 milionë janë grant nga Bashkimi Europian, 50 milionë euro janë kredi nga qeveria gjermane, ndërsa pjesa tjetër është financim i bashkisë së Tiranës.
Klan News