Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Këto ditë gazeta “Korrieri” ka nisur të botojë kujtimet e mbretit Ahmet Zogu. Një ekskluzivitet që i është dhënë kësaj gazete, nga familja mbretërore në Tiranë. Gazetës “Korrieri” i janë dhënë faqe të daktilografuara me kujtime të pabotuara kurrë më parë, shkruar nga dytanti i mbretit Zog, Hysen Selmani.

Në këto kujtime janë protagonistë të gjithë personazhet e jetës politike, ushtarake dhe asaj shoqërore të asaj kohe. Në to hidhet dritë në planin personal të Ahmet Zogut, që nga periudha para monarkisë dhe deri në vdekjen e tij.

Alfred Peza:- “Duhet të kujtojmë këtu, që qoftë shtypi amerikan, qoftë shtypi britanik, ka këmbëngulur për vite me radhë për t’i pasur këto kujtime dhe për t’i botuar por familja mbretërore mesa duket kishte vendosur, që ato të botoheshin në median shqiptare. Gazeta po i boton në mënyrë besnike të gjitha kujtimet e mbretit Zog, janë kujtime që përfshijnë, të gjithë veprimtarinë dhe jetën politike e shoqërore të njërit nga personalitetet më të mëdha të politikës dhe shtetit shqiptar, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar dhe për herë të parë nga vetë goja e protagonistit të kësaj pjese të historisë shumë të rëndësishme të shtetit shqiptar, vijnë kujtime për momentet më të rëndësishme që kanë të bëjnë që nga koha e shpalljes së pavarësisë, kongresi i Lushnjes, jeta parlamentare shqiptare gjatë viteve 20-24, por edhe periudhat shumë të rëndësishme të shndërrimit të shtetit shqiptar, nga republikë në monarki dhe deri në 7 Prillin e vitit 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia, por dhe më pas për të gjitha raportet e mbretit Zog, qoftë me politikën e politikanët shqiptarë deri në vitin 1960, kur ai mbylli sytë në Paris”.

E veçantë për 80 faqet e para, të botuara deri tani nga këto kujtime është se aty bëhet e ditur, se mbreti Zog ka pasur një plan të qartë dhe të detajuar për mbrojtjen e Shqipërisë, por hap pas hapi njerëzit në këto kujtime zbulojnë impotencën e sistemit mbrojtës shqiptar dhe korruptimin e oficerëve të lartë të ushtrisë shqiptare nga ushtria italiane./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora