Gazeta Shekulli vjedh prodhimet e Histori me Zhurmues
Historia e bandës së Xhevdet Mustafës, një nga ngjarjet më të bujshme të epokës së diktaturës në Shqipëri, një emision ekskluziv i programit të TV Klan, “Histori me Zhurmues”, transmetuar të dielën e shkuar, ka mbushur prej disa ditësh edhe faqet kryesore të gazetës “Shekulli”, pronë e kompanisë 2K.
Ky shkrim i botuar në këtë gazetë në datat 26-27 nëntor dhe i reklamuar si kryeartikulli i të përditshmes “Shekulli” dhe i propaganduar në çdo pikë shitje gazetash me postera, nuk është një prodhim i redaksisë së gazetës, por një zbardhje e emisionit “Histori me Zhurmues”, e tërë intervistave me dëshmitarët real i kësaj historie, të cilët gazeta i boton me papërgjegjshmëri si produkte të investigimit të saj.
“Histori me Zhurmues” është një emision privat për të cilin Tv Klan ka angazhuar një staf të tërë njerëzish gazetarë, operatorë, e redaktorë, ndaj kjo tingëllon vjedhje e pastër dhe e pafalshme, për një gazetë e cila pretendon të jetë konkurrente në tregun mediatik shqiptar, duke shitur tirazhin e kopjeve të gazetës, në kurriz të produksionit të një kompanie tjetër konkurrente.
Si një kujtesë për kolegët e gazetës “Shekulli”, duhet të jetë heqja dorë nga kjo metodë pune dhe ndërprerja e botimit të materialeve të marra nga produksioni i Tv Klan, në rast të kundërt ky gjest penalizohet nga sanksionet e ligjit mbi të drejtën e autorit./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani