“Këneta e Maliqit”, e njohur si “këneta famëkeqe”, që u bë preteksti i vdekjes dhe pushkatimit të plot 63 vetëve, me akuzën absurde mbi krye si “sabotatorë”, do të jetë në qendër të emisionit të përjavshëm, “Histori me zhurmues”.

Në emision do të diskutohet për punimet për tharjen e kësaj kënete, në vitin 1946, si një nga ngjarjet plot dritëhije të pasçlirimit; dënimin e grupit të inxhinierëve, si grup armiqësor, ndërtimin e qytetit të Maliqit, puna e të burgosurve politikë në bonifikimin e kënetës.

Dëshmitarë reale do të tregojnë si nisi puna për tharjen e kënetës, vullnetarizmi, por edhe për dështimin e premtimeve për tharjen e saj brenda vitit. Familjarë të njerëzve që u dënuan me varje e pushkatim si sabotatorë do të rrëfejnë atë çka fshihej pas skenarit të dënimit.

Ndër të ashtuquajturit “Sabotatorë”, pjesën më të madhe e përbënin inxhinierët e parë që nisën rindërtimin e vendit, ku disa syresh u varën, pushkatuan, disa të tjerë vdiqën nëpër burgje. Ndër viktimat e “kënetës famëkeqe” ishin mjekët e njohur që kishin studiuar jashtë shtetit. Mbi ta rëndoi edhe akuza si “Armiq të popullit” dhe më e lehta akuzë për “agjitacion e propaganda”.

Viktimat, ishin të gjithë njerëz të arsimuar jashtë, intelektualë, të cilët u përpoqën t’i vijnë në shërbim popullatës, dhe u pushkatuan si agjentë.

Ishte kaq i rëndësishëm për regjimin e atëhershëm bonifikimi i kësaj kënete, sa dhe vendimi i drejtuesve të qeverisë komuniste, për të internuar atje, me punë të rëndë, 3 mijë të burgosurit e liruar nga 7 burgje , të gjithë njerëz të deklasuar, kundërshtarë të komunizmit.

Për të gjitha dritëhijet që shoqëruan epokën pak të komentuar mbi punimet për tharjen e kënetës së Maliqit, ju mund të ndiqni natën e 21-të të programit “Histori me zhurmues” sonte në orën 21./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani