Në mbrëmjen e sotme në “Histori me Zhurmues” do të ndalemi në vitin 1961. Si pasojë e prishjes së dashurisë me Bashkimin Sovjetik, dolën një numër i madh njerëzish të pakënaqur, si dhe u shtua fluksi i arratisjeve dhe tentativave për arratisje. I ftuari i parë për sonte është Shaban Doçi, i cili në krye të një grupi prej 4 vjetësh bëri një përpjekje të dështuar për t’u arratisur, pasi ra në kurthin e forcave të ruajtjes së kufirit. Gjykimi, burgu dhe më pas internimi në Rrëshen, janë disa nga momentet ku do të ndalemi gjatë këtij rrëfimi.
Nga gjendja e amullt që u krijua pas prishjes më Bashkimin Sovjetik, u krijua iluzioni se në Shqipëri do të kishte ndryshime në drejtim të një liberalizimi. Për t’i paraprirë këtyre ndryshimeve, një grup personash me prirje liberale, midis tyre dhe Pjetër Arbnori me qendër në Tiranë, vendosën të krijojnë një parti të re. Organizimi zgjerimi, rënia në dorë e organeve të diktaturës dhe dënimi i këtij grupimi do të vijë në mbrëmjen e sotme nëpërmjet rrëfimit të Tanush Kasos, njërit prej ideatorëve të këtij grupimi.
Siç dihet strehimi ka qenë një moment i rëndësishëm i familjes shqiptare. Një histori njerëzore që pasqyron këtë moment do të na vijë në mbrëmjen e sotme nëpërmjet bisedës më Rudi Ikonomin, njëri prej protagonistëve të kronikave të kohës./tvklan.al