Pas një jave shkëputje kthehet përsëri sonte në mbrëmje programi televiziv “Histori me zhurmues”.

Do të qëndrojmë këtë javë me vitin 1976, vit kur u miratua projekt kushtetuta, e cila e ktheu Shqipërinë në republikë popullore socialiste.

Juristi Ismet Elezi, i ftuar në këtë emision, zbulon kontaktet e hartuesve të projektkushtetutës më udhëheqësit e lartë të shtetit në lidhje hartimin saj. Si u sanksionua në të shteti i diktaturës së proletariatit? Si pasqyrohet teoria marksiste leniniste në kushtetutën e re të Shqipërisë?

Ismet Elezi: “Kur u hoq e drejta e pronës mbi tokën kishte marr fund prona private, kishte marrë fund tregtia private, kishte marrë fund gjithandej. Prona vetjake ishte që ishte brenda shtëpisë, domethënë televizor s’kishte, por në qoftë se kishte ndonjë radio. Oborret në fshat edhe ato u katandisën, ua kufizuan në minimum, u hoqën edhe patat edhe pulat dhe të gjitha ua hoqën, domethënë arriti në ekstrem.”

Po sonte do të qëndrohet edhe në futbollin e viteve 70. Një nga ekipet që i dha tonin futbollit shqiptar në ato vite ishte dhe Dinamo me treshen e famshme Zëri, Përnaska, Ballgjini. Për të na sjellë kujtimet e atyre viteve mbi futbollin shqiptar dhe ballafaqimet e tij me atë ndërkombëtar.

I ftuar në studio do të jetë një nga tre musketierët e sulmit të Dinamos dhe sulmuesi i ekipit kombëtar Vasillaq Zëri. Rivaliteti i ekipeve të kryeqytetit, sfidat e skuadrave tona dhe të ekipit të Dinamos me futbollin evropian si dhe histori interesante të pathëna deri tani sot ë zbulohen gjatë kësaj bisede.

Vasillaq Zëri: “ … e Holandës domethënë meqë bëra një paraqitje të mirë këtu me Ajaxin, më kujtohen ato sapo mbërritëm në aeroportin e Amsterdamit atje. Domethënë erdhën ato menaxherët ato që kishin, sepse ne më thënë të drejtën nuk kishim idenë e këtyre gjërave, këtyre ikjeve nuk na shkonte në mendje që në domethënë mund të luanim atëherë me ekipet e huaja. Kështu që me ato bisedime më lajmëruan edhe mua që po bisedojnë, në mos gaboj ka qenë trajneri Saimir Dauti atëherë edhe njësoj si këtu… më bën kërkesën kur mbaroi ndeshja të bëjmë ato tentativat. Mirëpo prapë ato gjithmonë me shpjegimet tona funksionimi i sportit tek ne kështu që ishte e pamundur.”

Por viti 1976 do të vijojë edhe javën e ardhshme me të tjera ngjarje dhe fakte interesante. Një nga të cilat do të jetë edhe incidenti me anijen Islam Mustafa dhe vrasja e kapitenit të saj Fran Due Ivanaj./tvklan.al