Gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, ka folur për situatën shëndetësore dhe politike të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ditët e fundit u konfirmua i infektuar me Covid-19.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ikonomi u shpreh se mjeku i Trump tha sot se Presidenti i SHBA është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa javët në vijim pritet që t’i rikthehet fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale.

“Mjeku i Trump sot dha një mesazh optimist për të. Ai tha se Trump është jashtëzakonisht mirë. Sot në mëngjes një ekip mjekësh u takua me Presidentin dhe tha se Presidenti kaloi një natë mjaft të mirë. Dhe kjo nënkupton që ai mund ta fillojë fushatën qysh javës tjetër. Trump ka një tjetër dinamikë në fushatat e tij. Shpreson që këto 72 orë që ka humbur në fushatë do të jetë në gjendje t’i kapë shumë shpejt. Nuk ka diskutim që ata që votuan në 2016 do të votojnë për të. Është fjala për ata që janë të lëkundur”.

Por çfarë do të ndodhë me debatet presidenciale? Gazetari Ikonomi shprehet se këtë do ta vendosë Komisioni Presidencial i Debateve.

“Debatet presidenciale varen nga Komisioni Presidencial i Debateve. Nëse Presidenti nuk do të jetë në gjendje që të marrë pjesë, kjo do të thotë se komisioni mund ta shtyjë debatin e 15 Tetorit ose ta bëjë atë online. Kjo do të përbënte problem për Presidentin ose për të dy sepse nuk do të jenë në gjendje ta ndërpresin njëri-tjetrin kaq shpesh”.

Nëse njëri nga kandidatët, Donald Trump apo Joe Biden, do të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, atë do ta vendosin institucionet.

“Në Amerikë nuk ka zgjidhje tjetër përveç institucioneve, përfundon në Gjykatën e Lartë. Nëse dhe kësaj radhe përfundon kështu, njëri kandidat ka plotësisht të drejtë t’i kontestojë. Edhe nëse Presidenti bën presion në njëfarë kuptimi që të mos ketë manipulime të votave”.   /tvklan.al