Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Partisë Demokrate të Re Genc Pollo është i hapur për të bashkëqeverisur me Partinë Socialiste, në funksion të angazhimit të saj, për nxjerrjen e vendit nga kriza, që sipas Pollos, janë vetë socialistët që e kane futur vendin në një situatë të tillë. Vendimi që ata të jenë përfshirës në qeveri është marrë mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së PDR, por kjo bëhet e mundur me këtë kusht.

Genc Pollo:- “Zgjedhjet e parakohshme, në një moment të caktuar të vitit të ardhshëm, pas korrigjimeve të nevojshme, në listat e zgjedhësve, në kodin zgjedhor etj, janë e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë”.

Qëndrimi politik i reformatorëve do të jetë kundër qeverisë, nëse përpara kongresit të 12 Dhjetorit kalojnë për votim në parlament, emra socialistë, të cilët duhet të plotësojnë vendet vakante në qeveri.

Genc Pollo:- “PDR nuk ka pse të marrë hapa që në këtë moment favorizojnë njërën palë, apo palën tjetër brenda PS, në garën e brendshme të saj dhe për këtë fakt, ne vetëm shprehim indinjatën që kjo luftë e brendshme në këtë parti, mban të bllokuar ekzekutivin shqiptar”.

Pollo ka mohuar se nga kryeministri Fatos Nano, t’i jenë ofruar poste qeveritare./tvklan.al