Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fushata zgjedhore për kryetar bashkie ka vazhduar për Partinë Demokrate të Re në Peshkopi. Kryetari i kësaj partie Genc Pollo ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie Besnik Myftari, si dhe kandidatët për kryetar komunash dhe këshilltarë bashkiak.

Genc Pollo:- “Me votën tonë, në 12 Tetor dhe në tre vitet në vijim, vërtet që duhet t’i themi mjaft shkollave të rrënuara dhe klasave pa dritare, mjaft arsimtarëve pa pagim, pa kualifikim dhe pa përkushtim dhe mjaft analfabetizmit në rritje. Fjalët dhe veprat i takojnë pushtetit vendor më shumë se sa qeverisë qendrore, sepse fëmijët tuaj, fëmijët e këshilltarëve tuaj, fëmijët e pushtetarëve lokalë, janë ata që do të shkollohen këtu dhe duhet të vendosni ju vetë, sepse Ministri i Arsimit, problemet e fëmijëve të tij mund t’i zgjidhë shumë kollaj në Tiranë”.

Fushatën reformatorët e kanë vazhduar edhe në Bulqizë, Klos dhe Maqellarë.

Ndërsa kryetari i PDK Nikollë Lesi, ka vazhduar turin elektoral, duke prezantuar kandidatin për kryetar të komunës Kolç në Lezhë. Lesi kritikoi ashpër politikën konfliktuale të kryetarëve të partive të mëdha në këto 12 vjet tranzicion, si dhe ftoi lezhianët të votojnë për veten dhe jo për këta politikanë.

Nikollë Lesi:- “Në Shqipëri, ka absurditete të tmerrshme. Shumica e kryetarëve të partive, që dëgjoni ju në televizor natë për natë, bërtasin poshtë krimi, luftë kundër kontrabandës, luftë kundër krimit, të rregullojmë popullin dhe çfarë ndodh? Absurditeti është që shumica e këtyre kryetarëve të partive që bërtasin natë për natë, janë pjesë e krimit, pjesë e kontrabandës, pjesë e mafies”./tvklan.al