Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nëpërmjet avokatëve të tij kërkoi të bëhet një ekspertim i ri për dëmin ekonomik të përllogaritur për demontimin e armëve në Gërdec.
Duke e konsideruar ekspertimin e bërë gjatë vitit 2008, si të pasaktë, të kryer nga persona që nuk ishin ekspertë të fushës, ata i thanë gjyqtares Irena Gjoka të kërkoj të urdhërojë një ekspertim të pjesshëm për llogaritjen e kostos për demontimin në fabrikën e Poliçanit.
Mbrojtja thotë se nga analiza e akt-ekspertimit, ekspertët e asaj kohe janë shprehur në tejkalim të kompetencave, duke përdorur edhe terma juridik, kur në fakt ishin përzgjedhur për mendim në fushën e tyre.
Por për SPAK, akt-ekspertimi qëndron dhe dëmi ekonomik ka ardhur si pasojë e shmangies së pagesave të tatimeve dhe kostove të transportit të municioneve. Gjykata do të shprehet në seancën e radhës në 9 Tetor për kërkesën e ish-ministrit.
Ky i fundit po gjykohet me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën me nxjerrjen e disa akteve ligjore e nënligjore të cilat, që sipas SPAK kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë që u përfshinë në demontim.
Tv Klan