Gjykata e Posaçme dëgjoi këtë të martë provat shkresore të SPAK ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të cilin e akuzon se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Dy prokurorët e posaçëm lexuan akt-ekspertizën e shkaqeve të shpërthimit tragjik në 15 Mars 2008, që nuk përcaktonte një shkak të veçantë.
Akt-ekspertimi ushtarak që lidhej me llojin e kalibrave që duhet të demontoheshin në këtë fabrikë dhe atë financiar që tregonte se aktiviteti i demontimit i kishte shkaktuar shtetit një dëm prej 59 mln Lekë, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.
Por për ish-ministrin Fatmir Mediu, çka u lexua në seancë nuk kishte lidhje me rolin e tij si ministër në atë kohë.
Fatmir Mediu: Prokuroria bie atë volum shkresash pa përcaktuar qartë se kush është në këtë volum shkresash që ka pasur kjo dosje që janë mbi 90 fashikuj, përgjegjësitë konkrete të ish-ministrit në shpërdorimin e detyrës.
Në këtë seancë, SPAK lexoi dëshminë e ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, dëshmitarit tjetër, Denis Hadari që nuk pranoi të jepte shpjegime dhe në seancën e radhës do të zhvillohet një debat gjyqësor mbi provat e SPAK.
Tv Klan