Gjatë protestës së demokratëve në kuadër të mosbindjes civile nënkryetari i Parlamentit dhe PD, Agron Gjekmarkaj ka humbur ndjenjat.

Ngjarja ka ndodhur në zonën tek “Pallati me Shigjeta” në Tiranë ku demokratët pretendojnë se Gjekmarkaj u godit nga forcat e rendit gjë që u mohua me anë të një deklarate nga Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës.

“Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta. Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës.”

Ky është momenti pak përpara rënies në tokë të Gjekmarkajt, por në pamje që nuk kuptohet qartë se çfarë ka ndodhur.

Gjekmarkaj u transportua menjëherë drejt spitalit të Traumës në kryeqytet pasi iu dha menjëherë ndihma e parë nga protestuesit dhe deputetët e opozitës. Vetë Gjekmarkaj rrëfeu se është dhunuar nga efektivët e policisë.

“Isha i mbështetur në një makinë, as më shikonin në sy, më shtynë sikur të isha leçkë. Më ushtruan presion në gjoks dhe mbeta pa frymë”, tha Agron Gjekmarkaj.

Në spitalin e Traumës ka parë nga afër gjendjen shëndetësore të Gjekmarkajt edhe lideri demokrat Berisha.

“Dhuna ndaj tij është një akt madhor kriminal nga i cili ai ka humbur më shumë se 7 minuta ndjenjat. Është goditur nga kriminelët profesionistë, e kanë goditur në qendra të dhimbshme dhe ai ka humbur ndjenjat. Është rrethuar nga rreth 15 policë nga të cilët 3 prej tyre janë shefa komisariatesh. Pra zoti Gjekmarkaj ka qenë target i urdhëruar nga Edi Rama”, tha Sali Berisha.

Ai e ka akuzuar policinë se e kanë dhunuar Gjekmarkajn me urdhër të kryeministrit Edi Rama, në momentin që forcat e rendit tentuan qe të shpërndante protestuesit që ndodheshin në rrugë.

Berisha i cilësoi kriminelë me uniformë, policët që goditën sipas tij, nënkryetarin e PD-së Agron Gjekmarkaj.

Gjekmarkaj po merr ndihmën e parë nga mjeket dhe do qëndrojë nën vëzhgimin e tyre në orët në vijim. Edhe pse Policia e Shtetit mohoi akuzat për dhunë, Berisha vijoi me pretendimin e tij për këtë rast.

Klan News