Lajme Arkiva 2003

Gjendet fëmija shqiptar i birësuar nga një çift kalabrez. Një agjenci kombëtare lajmesh njoftoi se pas arrestimit të 69-vjeçarit Anxhelo Boreli i cili e ka blerë 15 milionë lireta të miturin Oracio Bonjaku, gruaja e tij është larguar bashkë me fëmijën për ti shpëtuar policisë, ajo e ka fshehur atë te një i afërm në Peskara.

Oracio është shitur nga vetë i ati shqiptar Kujtim Bonjaku i arrestuar krejt rastësisht nga Policia e Durrësit disa muaj më parë në fshatin Shënavlash për prishje të qetësisë publike me armë.

Ndërkohë nëna e djalit kishte denoncuar të shoqin se e kishte shitur të birin për 15 milionë lireta. Ky është çeku për tërheqjen e 10 milionë liretave nga Bonjaku, ndërsa pjesa tjetër është dhënë kesh.

Trafikimi i të miturit drejt Italisë është kryer nga Porti i Durrësit, ku gruaja që duket në fotografi ,  nënë e dy fëmijëve me dokumente të falsifikuar është paraqitur si e ëma e djalit dhe e ka dorëzuar atë te familja italiane.

Ky është një nga rreth 50 rastet e trafikimit të miturve shqiptarë nga organizata e drejtuar nga çifti Xhuliana dhe Ramiz Petalli. Në bashkëpunim edhe me një avokat italian tashmë të arrestuar atë akuzohen se kanë realizuar këtë trafik.

Ndërkohë policia e Durrësit bën të ditur se arrestimi i fundit në Itali do të çojë të paktën edhe në arrestimin e dy personave të tjerë në Shqipëri si anëtarë të njëjtit grup kriminal.

Burime të tjera thanë se pas kësaj pritet kthimi i fëmijës Oracios në familjen e tij në Shënavlash./tvklan.al