Pas Elbasanit dhe Vlorës, dita e tretë e audicioneve të “Gjeniut të Vogël”, u zhvillua në Shkodër. Plot 30 fëmijë të talentuar nga mosha 7 deri në 16 vjeç morën pjesë në audicionet e organizuara në Pallatin e Pioniereve të qytetit.
Pjesëmarrja në këto audicione të “Gjeniut të vogël”, të organizuara nga promotor dhe Tv Klan është shumë e rëndësishme për fëmijët shkodranë, të cilët presin me emocione të kalojnë këtë sfidë të parë për t’u përzgjedhur si talentet më të rinj të këtij spektakli të madh, që ka mbërritur në edicionin e tij të tretë.
“Jam qysh 4 vjeç në skenë.”
Gazetari: “Ke shumë dëshirë të këndosh?”
“Po shumë.”
Jozefina Simoni: “Nuk isha mësuar shumë të dilja nëpër këto emisione kaq të mëdha.”
Gazetari: “Çfarë shpreson?”
Jozefina Simoni: “Shpresoja se do të kaloja, por edhe që jo.”
Riad Basha: “Më pëlqen muzika dhe mendoj se jam i aftë të këndoj.”
“Nuk pata emocione se jam mësuar tani me skenat prej 2 vitesh.”
Talentet më të mirë të qytetit, si edhe në qytetet e tjerë, përzgjidhen nga një juri e përbërë nga emra të njohur të këngës. Edhe këtë here kompozitori dhe drejtori i qendrës Kulturore të fëmijëve në Shkodër, Kujtim Alia shpreson se fëmijët shkodranë do të dinë të japin më të mirën e tyre.
Kujtim Alia: “Duke parë stafin realizues edhe predispozitën me të cilën punojmë kam bindjen që do të jetë përsëri po aq i suksesshëm sa dy edicionet e tjera. Ne kemi vetëm një detyrë me afru ato talente që ka qyteti ynë dhe unë mendoj që edhe sivjet Shkodra do ta thotë mjaft mirë fjalën e vet në këtë lloj aktiviteti që mendoj që i duhet, i dihet realitetit shqiptar, ju jep mundësi fëmijëve shumë.”
Dy edicionet e mëparshëm të “Gjeniut të Vogël” janë fituar nga dy talente shkodranë, Dorina Garuci dhe Glenis Dume. Sipas regjisorit Bledar Laço edhe audicioni i Shkodrës flet për një pjesëmarrje të gjerë të talenteve në këtë audicion.
Bledar Laço: “Si zakonisht Shkodra është një nga ndalesat tona kryesore. Do të doja edhe njëherë që në këtë ndalesë me qenë se është e treta t’iu drejtohesha të gjithë prindërve dhe fëmijëve të cilët nuk kanë mundur dot që të jenë në audicionet tona që kemi zhvilluar deri tani, që audicionet e Tiranës të premten dhe të shtunën janë të hapura për këdo që do të marri pjesë. Sigurisht që do të presim dhe do të vlerësojmë më të mirët, ata që do të bëjnë diferencën nga të gjithë fëmijët e tjerë.”
Pas Shkodrës, dita e katërt e audicioneve për përzgjedhjen e talenteve që do të marrin pjesë në “Gjeniun e tretë” do të jetë të enjten, në qytetin e Korçës./tvklan.al