Ardian Ismajli, i cili në takimin Gjeorgji-Shqipëri mbante shiritin e kapitenit tha se fitorja e kuqezinjve ishte e merituar.
“Ndeshjen me Çekinë e kemi harruar direkte në momentin që kemi shkuar në hotel dhe kemi menduar direkte për Gjeorgjinë. Kemi dominuar kundërshtarin. Besoj që e kemi merituar dhe e kemi dominuar kundërshtarin. Erdhëm për atë që deshëm dhe po kthehemi në shtëpi të motivuar për ndeshjet e Nëntorit”, tha mbrojtësi i Kombëtares.
Me 6 pikët që ka tanimë Shqipëria, për Ismajlin gjithçka është e hapur.
“Ata edhe me një barazim ishin të lumtur, sepse kishin 6 pikë dhe do iknin me 7. Ndërsa ne kishim 4. Tani jemi në një grup… ta shohim sesi do të mbarojë Çekia me Ukrainën, por të paktën 3 ekipe jemi me 6 pikë dhe gjithçka është e hapur në Nëntor, ku do jemi krah publikut tonë të zjarrtë që gjithmonë na ka mbështetur. Besoj që do të jemi më të motivuar se kurrë, do ia dalim ishalla”.
Shqipëria mori renvanshin këtë të hënë, duke mundur Gjeorgjinë në Tbilisi, 1 muaj pas humbjes në Tiranë në Ligën e Kombeve. Rezultati ishte po 1-0, por kësaj here festuan Kuqezinjtë që mbeten në garë për ta mbyllur në krye të grupit, pasi kanë 6 pikë pas 4 ndeshjeve të para. Një sukses pas thuajse 20 vitesh me Gjeorgjinë dhe i pari në transfertë./tvklan.al