Elseid Hysaj pritet të mungojë nga 4 deri në 6 javë pas dëmtimit të pësuar në takimin e së hënës me Cagliari. Këtë shkruan “Corriere dello Sport” pas kontrolleve të kryera mbrëmjen e së mërkurës në klinikën Villa Mafalda.

Mbrojtësi shqiptar ka një lëndim të shkallës së mesme në kofshën e majtë. Klubi në komunikatën e shpërndarë nuk vendos një datë për rikthimin e Hysajt në fushë, por do ta vlerësojë me kalimin e ditëve.

Një lajm i keq në një moment ku Elseid Hysaj ishte përfshirë në listën e Lazio dhe po luante rregullisht edhe në prag të ndeshjeve të Kombëtares për kualifikueset e Botërorit 2026 që do të nisin në muajin Mars. Shqetësim shfaq edhe Armando Broja, i cili u dëmtua në fillim të muajit Janar dhe rikthimi në përllogaritjet e para ishte në Prill. Një lëndim më të lehtë pati para disa ditësh edhe Ardian Ismajli, por që pritet të jetë gati.

Ndërkohë stafi i Kombëtares ka vijuar turin për të parë gjendjen e Kuqezinjve dhe së fundi ishte i pranishëm në përballjen Atalanta – Torino ku takuan kapitenin Berat Gjimshiti, i cili realizoi gol në atë sfidë.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë më 21 Mars në fushën e Anglisë që do ta ndiqni direkt në TV Klan ashtu si edhe turneun final që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Tv Klan