Numërimi mbrapsht ka filluar, teksa këtë 5 Nëntor amerikanët votojnë për Presidentin e tyre të ri. Gara mes dy kandidatëve Donald Trump dhe Kamala Harris është e ngushtë dhe nuk qartësohet se kush ka përparësi. Megjithatë e gjithë bota i ka sytë nga zgjedhjet presidenciale në Amerikë, të cilat kanë jo pak ndikim në politikat e tjera, përfshirë dhe ato evropiane.

Në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, në një lidhje direkte nga Gjermania ishte gazetarja e Deutsche Welle, Lindita Arapi. “Gjermania sot mban frymën,” tha Lindita Arapi, duke përshkruan ankthin dhe tensionin që ndjejnë gjermanët për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Sipas saj shumica e gjermanëve janë në mbështetje të Kamala Harris. Një mandat i ri i Donald Trump për Gjermaninë do të jetë shumë sfiduese.

Lindita Arapi, Deutsche Welle: Gjermania sot mban frymën sepse ka shumë interes për zgjedhjet, por ka dhe shumë frikë. Në media duket sikur flitet më shumë për Trump sesa për demokraten Kamala Harris, pikërisht për shkak të kësaj frike. Realisht Gjermania do të donte një Kamala Harris si Presidente. Zyrtarisht qeveria nuk jep preferenca, por nuk është sekret se kush preferohet, pra Kamala Harris. Gjermania shpreson me të vazhdimin e marrëdhënieve transatlantike dhe vetë gjermanët në sondazhe me shifra shumë të larta mbështesin Kamala Harris. Madje një gazetë gjermane dje e cilësoi Trump një të “çoroditur” me impulse autoritare, pra Trump nuk gëzon një imazh të mirë, sidomos në mediat gjermane.

Aldo: Përmende fjalën frikë, pse ka kaq frikë?

Lindita Arapi, Deutsche Welle: Gjermania pati një përvojë shumë të vështirë në mandatin e parë të Trump, prandaj dhe frika është e ndjeshme. Dhe duket sikur Trump ka një problem me Gjermaninë, në një fjalim tani të fundit në Pensilvani ai tha “mua nuk më kanë dashur atje dhe unë kam rrënjë gjermane. Gjermanët kanë përfituar prej nesh, unë iu kam thënë paguani, ata kujtojnë se ne jemi budallenj”. Fjala është këtu për shpenzimet e mbrojtjes, por që tani Gjermania sigurisht që i ka ndryshuar. Ai ka përmendur dhe marrëdhënien e vështirë me Angela Merkel dhe në këtë kuptim Gjermanisë i zgjohen kujtime të hidhura. Në vitin 2018 Trump tha një fjali që e shokoi Europën, ai i quajti europianët dhe gjermanët si armiq, shkak ka qenë dhe konkurrenca e madhe atëherë në tregti dhe automjete. Ai madje kërcënoi dhe me vendosje sanksionesh për makinat gjermane.

Aldo: Kush parashikohet të fitojë?

Lindita Arapi, Deutsche Welle: Nëse fiton Trump, për Gjermaninë patjetër që do të jetë një mandat shumë i vështirë. Për Gjermaninë, SHBA-të janë shumë të rëndësishme. Gjatë një vizite Biden tha se është ekzistenciale SHBA për Gjermaninë, qoftë nga ana e sigurisë, qoftë dhe nga ana tregtare, por Trump është i paparashikueshëm dhe priten probleme se si do të veprojë ai. Trump tha para pak kohësh se kush paguan do i japë siguri. Madje shtrohet dhe pyetja nëse do të mbijetojë NATO. Ka kohë që flitet se janë vendosur kontakte me njerëz të Trump. Gjermania nuk do të jetë aq e papërgatitur sa në vitin 2016, kur të gjithë prisnin se do të fitonte Hillary Clinton, por nuk ndodhi. Këtë herë është pak më ndryshe, por ka dhe kritika që thonë se Gjermania nuk është aq e përgatitur./tvklan.al