Gjermania konfirmon mbështetjen e saj për integrimin evropian të Shqipërisë.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur pas samitit të partive popullore evropiane në Bruksel, e pyetur nga TV Klan, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Bundestagu pret vetëm të dhënat e Komisionit Evropian për marrjen e një vendimi lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
“Kur flisni për Dhjetorin, do të thotë kjo se Bundestagu gjerman është dakord për aprovimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat përpara mbylljes së këtij viti?”
Angela Merkel: “Diskutimi i kësaj çështje do të bëhet në dhjetor. Ndërkohë në mbledhjen e Bundestagut do të caktohet se cili komision do të merret me këtë çështje, në mënyrë që të marrim një vendim. Zhvillova një takim me kryeministrin e Shqipërisë. Së pari duhet të presim të dhënat e Komisionit dhe publikimin e tyre, më pas do ta vlerësojmë. Kjo është një procedurë e domosdoshme dhe qëndrim të prerë do të jem sërish para jush për të komunikuar.”
Një ditë më parë, kryeministri Sali Berisha, pas një takimi kokë më kokë me kancelaren Merkel tha se kërkesa e Shqipërisë do të marrë dritën jeshile menjëherë pas konstituimit të Bundestagut gjerman, miratim që do t’i japë mundësi presidencës suedeze ti propozojë Këshillit i cili duhet të kërkojë përgatitjen e opinionit nga Komisionin Evropian.
Sali Berisha: “Më garantoi, më tha dje është mbledhur parlamenti dhe në ditët apo javët në vazhdim vazhdon konstituimi i tij sepse duhet të krijojë komision e të gjitha me radhë, por ne tha, do të bëjmë çdo gjë për ta realizuar në kohën më të shkurtër të mundshme.”
Në një konferencë të disa ditëve më parë, ministri i jashtëm suedez, Carl Bildt, deklaroi se nuk ka asnjë vonesë në shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat në Bashkimin Evropian.
Shefi i diplomacisë suedeze deklaroi se shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë nuk varet nga asgjë politike, por ka të bëjë me teknike brenda bllokut./tvklan.al