Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Në mesditë të gjithë gjimnazistët e kryeqytetit kanë mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të bashkëmoshatarëve të tyre kosovarë që humbën jetën dje në aksidentin tragjik në Bicaj të Pukës. Shumë prej nxënësve janë ofruar vullnetarë për të dhuruar gjak për të plagosurit e shtruar në spital.
Gjimnazisti: “Bashkohemi sot me këtë dhimbje dhe jemi siç e shihni ju, shumë të gatshëm dhe shumë veta janë ndarë qoftë në grupe për të dhuruar gjak, qoftë për të dhënë kontributin e tyre me një ndihmë sado të vogël, sado modeste për vëllezërit tanë.”
Kryebashkiaku Rama ka qenë gjatë paradites në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, ku ka shprehur keqardhjen e tij për viktimat e aksidentit.
Edi Rama: “Unë ndihem mjaft i pikëlluar si gjithë të tjerët dhe kjo çka ne bëjmë nuk mund t’i kthejë ata në jetë, por gjithsesi është një detyrim, i cili na lehtëson sadopak në këtë moment shumë të vështirë për familjet e tyre, por njëkohësisht edhe shumë të trishtuar për të gjithë ne.”/tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka