Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako do të përballet me drejtësinë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës e kryer ne bashkëpunim në dy raste. Gjykata e Posaçme ka kaluar çështjen për gjykim dhe i ka pranuar Dakos dhe 3 të bashkëpandehurve të tjerë kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Ne seancën e radhës do të bëhet legjitimimi i palëve dhe më pas Prokuroria e Posaçme do të relatojë konkluzionet përfundimtare.
Nëse Vangjush Dako dhe 3 të tjerët shpallen fajtorë nga gjykata, atyre u ulet 1/3 e dënimit. Bashkë me Dakon kërkesa për gjykim të shkurtuar u miratua edhe për Fiqiri Farrukun, Fatmir Ejupin e Adrian Bulkun. Ndërkohë për pjesën tjetër, do vijojë procesi me gjykim të zakonshëm. Bëhet fjalë për Ferzilet Hajdëri, Adnand Toccila, Diana Dedja, Bashkim Salillari dhe Hanza Reka. Sipas ligjit çështja e 7 të pandehurve të tjerë mund të kalojë në Gjykatën e Durrësit pasi nuk janë më subjekt i Gjykatës së Posaçme.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Rasti i parë ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u dëmtua nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Dako u arrestua në 6 Qershor të vitit 2023 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u lirua pas 9 muajsh paraburgim, konkretisht më 27 shkurt 2024 pasi skaduan afatet e paraburgimit dhe ndaj tij u caktua masa arrest shtëpie me mbikëqyrje policore 24 orë.
Klan News