Gjykata e Posaçme rrëzoi një kërkesë të ish ministrit Ilir Beqaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë me një më të butë se ajo e arrestit në burg.

Nëpërmjet avokatit të tij Ermal Yzeiraj, Beqaj ofroi në këmbim të zbutjes së masës edhe një garanci pasurore.

Ndërkohë, para gjyqtares Rudina Palloi, shtoi si shkaqe për zbutjen e masës me argumentet se hetimet për dosjen e SASPAK janë drejt fundit dhe ende nuk ka një akuzë. Faktin që është treguar bashkëpunues dhe nevojës që ka për të bërë mbrojtjen e tij.

Të gjitha këto shkaqe u rrëzuan si të pabazuara nga gjykata që la në fuqi vijimin në qeli.

Kërkesa e Beqajt për liri, erdhi pasi në procesin tjetër ndaj tij, atë për koncensionin e sterilizimit, akuza u rëndua, nga Shpërdorim detyre në Vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim si grup kriminal me ish-zëvendësin e tij dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.

Beqaj i kundërshtoi akuzat e reja, teksa në 24 janar, gjyqtarja e seancës paraprake do të dal me një vendim për dosjen sterilizimi.

Tv Klan