Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet në rrugë për zbatimin e masave kundër COVID-19. Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 621 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Po ashtu në Gjirokastër është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një 41-vjeçar nga  Mallakastra, i cili ka tentuar të kalojë në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke qenë i infektuar me COVID-19.

Në Elbasan është ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë P. N., pasi në lokalin në pronësi të tij, në Hotolisht, Librazhd, ka organizuar një ceremoni martesore, ne kundërshtim me masat anticovid.

Nga ana tjetër në Durrës është ndëshkuar me masën 5.000 lekë, një 21-vjeçar, pasi është konstatuar përsëritës i mosmbajtjes së maskës, herën e parë në rrugë dhe herën e dytë në një automjet, me drejtuesin e të cilit nuk kishte lidhje familjare. 

Gjithashtu, është ndëshkuar më masë administrative 1 milion lekë E. B., pasi ka mbajtur hapur lokalin në pronësi të tij, në lagjen nr. 7, Korçë dhe ka vendosur muzikë pas orës 20:00./tvklan.al