Christian Panucci nuk e ka ende të qartë se si do të jetë Kombëtarja e ndërtuar prej tij. Humbja 2 – 0 me Skocinë në Ligën e Kombeve shfaqi problemet në organizimin e skuadrës. I këtij mendimi është trajneri Ernest Gjoka që thotë se Christian Panucci ndryshon vazhdimisht mënyrën se si e hedh ekipin në fushë duke e gjetur skuadrën të papërgatitur.

“Përsëri pas pjesës së parë bëri disa lëvizje që skuadra nuk ishte e përgatitur të paktën për atë që lexova unë nga larg, ndryshoi strategji, ndryshoi formacion, ndryshoi pozicionin e lojtarëve. Shohim që shpesh ndryshon lojtarë dhe taktikë,, por nëse nuk ke një strukturë nuk mund të ecësh përpara.”

Për Ernest Gjokën në ndërtimin e Kombëtares nuk ka një ende një strategji.

“Akoma nuk e ka të qartë se si do të luajë me ekipin kombëtar, nuk e ka të qartë se çfarë ekipi ka, grupin e futbollistëve dhe çfarë kërkon prej tyre. Akoma nuk e ka të qartë se çfarë strategjie ka dhe çfarë filozofie duhet të ndjekë që të ecë në rrugën e duhur ose të bëjë të paktën atë që bëri De Biasi.”

Christian Panucci mori drejtimin e Kombëtares në Korrikun e 2017. Gjatë kësaj periudhe ka afruar shumë lojtarë të rinj, duke eksperimentuar me mënyrën e lojës dhe rreshtimin e skuadrës. Kombëtarja në drejtimin e Panuccit numëron 3 fitore, 1 barazim dhe 6 humbje. Takimi radhës do të jetë miqësorja me Jordaninë më 10 Tetor në Elbasan.

Tv Klan