Ernest Gjoka nuk është më trajner i Shkupit. Njoftimi zyrtar ka ardhur nga vetë klubi shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Humbja e fundit me Gostivarin në javën e dytë të kampionatit, ka rezultuar fatale për trajnerin nga Tirana. Sipas njoftimit të klubit, palët janë ndarë me konsensus, duke ndërprerë kontratën.

Kryesia e FC Shkupi ka bërë të ditur sot vendimin për t’u ndarë nga trajneri Ernest Gjoka. Pas një periudhe të rëndësishme bashkëpunimi, palët kanë vendosur të mbyllin këtë kapitull me mirëkuptim të plotë. Klubi shpreh mirënjohje për kontributin e Gjokës dhe i dëshiron suksese në vijim të karrierës së tij”, shkruan klubi i Shkupit.

Në dy javët e para të kampionatit në Maqedoninë e Veriut, Shkupi regjistroi një barazim dhe një humbje. Gjithashtu në sezonin e kaluar, ata dështuan të fitojnë titullin kampion në javët e fundit dhe kjo solli një ndarje me trajnerin Gjoka. /tvklan.al