Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjykata e Lartë e refuzon kërkesën për rekurs të prokurorisë për dosjen e vrasjes së deputetit të PD Azem Hajdari. Akuza e ka dorëzuar kërkesën pas afatit prej 30 ditësh nga data e vendimit të gjykatës së Apelit.

Prokurorët kërkojnë ndryshimin e cilësimit të vrasjes nga ajo për motive hakmarrje, në vrasje për motive politike, si dhe shpalljen fajtor të Fatmir Metës e Isamedin Haxhisë, për ekzekutimin e Hajdarit dhe dënimin e secilit prej tyre me nga 20 vjet burg. Por Gjykata e Lartë po merret tashmë vetëm me shqyrtimin e kërkesës për rekurs të avokatëve mbrojtës. Ata kërkuan tërheqjen e dosjes për rishqyrtim nga e para në Gjykatën e Tiranës.

Avokatët pretendojnë se janë bërë shkelje të procedurave ligjore gjatë gjykimit të çështjes në këtë shkallë. Avokati mbrojtës i Jaho Mulosmanit tha në Gjykatën e Lartë, se ajo e shkallës së parë ka qenë vazhdimisht nën presionin e prokurorisë. Sipas tij, prokurorët e grupit Hajdari, e kërkuan caktimin e datës së vendimit, ditën që në Kuvend, do të votohej për mocionin e mosbesimit ndaj ish-prokurorit të përgjithshëm Arben Rakipi.

Mbrojtja kërkon kthimin e dosjes në gjykatën e shkallës së parë edhe sepse janë një numër dëshmitarësh, të cilët nuk janë marrë në pyetje. Njëri prej tyre është Çel Pozllomi nga Tropoja, i arrestuar pak kohë pas shpalljes së vendimit për këtë ngjarje.

Gjykata e rrethit të Tiranës dhe më pas ajo e Apelit, e dënuan Mulosmanin me burgim të përjetshëm, Izet Haxhinë me 25 vjet burg, si person i besuar i PD, pa të cilin nuk mund të bëhej i mundur atentati. Ndërsa Ismet Haxhia u dënua me 20 vjet burg, si bashkëpunëtor në vrasje. Ish-shefi i komisariatit të Tropojës, Fatmir Meta dhe Isamedin Haxhia, u liruan dhe u shpallën të pafajshëm.

Nesër pritet që Gjykata e Lartë të japë vendimin për rikthimin ose jo për rishqyrtim të dosjes për ngjarjen e hetuar për disa vite edhe nga prokurorë ndërkombëtarë./tvklan.al