Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjykata e Lartë e la në fuqi vendimin e dy gjykatave më të ulëta, për të akuzuarit si vrasës të deputetit të PD Azem Hajdari.

“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore të datës 13.02.2003, çështjen penale numër 335, në ngarkim të të gjykuarëve Jaho Mulosmani, Izet Haxhia, Isamedin Haxhia, Ismet Haxhia dhe Fatmir Meta, të akuzuar për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim të viktimave Azem Hajdari,  Besim Çerës dhe vrasjes me dashje të mbetur në tentativë të Zenel Nezës, parashikuar nga neni 78 dhe 25 i kodit penal dhe 278, paragrafi 2, i kodit penal, për të pandehurin Isamedin Haxhia, pasi dëgjoi pretendimet e prokurorit pranë Gjykatës së Lartë dhe të mbrojtësve të gjykuarve vendosi: Lënien në fuqi të vendimit numër 316 dt.29.04.2002, të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe numër 351 dt.09.07.2002, të Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Duket se nga ky vendim ngelën të pakënaqur të gjithë palët në procesin e konsideruar si më të rëndësishmin e gjyqësorit shqiptar. Të parët qenë familjarët e vëllezërve Haxhia, të cilët mbetën me dënimin me 45 vjet burg gjithsej. Ndërsa avokati i të dënuarit me burg të përjetshëm, si ekzekutori kryesor i deputetit Hajdari, Jaho Mulosmani tha në emër edhe të avokatëve të tjerë, se do ta dërgojë çështjen deri në gjykatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Avokati Vladimir Meçe:- “Për fat të keq është pjesë e atyre interesave politike, që janë sot për sot të interesuara t’i vënë një kapak floriri kësaj çështje dhe të mos zbulojnë të vërtetën. Ashtu sikurse që në fillim të kësaj çështje hetimet kanë qenë tejet të magëta, shkeljet procedurale dhe dhunimi i garancive të të pandehurve në këtë proces ka qenë ekstrem”.

Gazetarja:- Hapi që do të bëni tani?

Avokati Vladimir Meçe:- “Ne do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg”.

Nga ana tjetër, prokuroria mbeti e pakënaqur, pasi u përjashtua nga e drejta për rekurs që në seancën e djeshme. Ajo kërkoi ndryshimin e cilësimit të vrasjes nga ajo për motive hakmarrjeje, në vrasje për motive politike. Në këtë mënyrë, mbetën në burg ish-shefi i policisë së Tropojës, Jaho Mulosmani dhe ish-punonjësi i policisë rrugore të Tropojës Ismet Haxhia. Ndërsa vëllai i tij i gjykuar në mungesë dhe ish-truproja i liderit demokrat Sali Berisha, Izet Haxhia dyshohet të fshihet jashtë Shqipërisë.

Për atentatin e 12 Shtatorit 1998, ka ende prova të tjera të pa publikuara, si dhe persona të cilët kanë dijeni për këtë ngjarje dhe që nuk janë marrë asnjëherë në pyetje si dëshmitarë, por prokuroria ka mohuar nisjen e një dosje të ashtuquajtur “Hajdari 2”, ku të përfshihen të rejat për këtë ngjarje. Jashtë këtij procesi mbetën edhe dëshmitë e kryetarit të PD Sali Berisha, i cili asnjëherë nuk pranoi të përballej në sallën e gjyqit, me të akuzuarin si ekzekutor i Azem Hajdarit./tvklan.al