Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i vënë nën akuzë nga SPAK për korrupsion pasiv, mashtrim, shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.
Në nje seancë maratonë, togat e zeza konfirmuan masat e sigurisë për Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollaj, si dhe 4 të akuzuarit e tjerë të dyshuar si të përfshirë në skemën e shpërdorimit të fondeve të SASPAK.
I vetmi qe nuk ishte prezent në seancë ishte Gazmend Haxhia, për të cilin është caktuar masa “arrest në shtëpi”, pasi sipas verifikimeve rezulton jashte vendit.
Gjatë mbrojtjes së tij, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kërkoi një masë më te butë sigurie, madje duke ofruar dhe një garanci pasurore prej 5 milionë Lekësh, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga gjykata.
Të njëjtën kërkesë pati edhe bashkëpunëtori i tij, Ermal Kurtualaj por dhe për të gjykata mbajti të njëjtin qëndrim.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se Agjencia e Koordinimit të Fondeve të Huaja ku Beqaj ishte drejtues, ka abuzuar me të paktën 8 prokurime. Mes tyre një tender për ceremoninë e mbylljes së turizmit të qëndrueshëm, ku fondi i vënë në dispozicion ishte shumë i lartë.
Kjo festë është zhvilluar në restorantin Gzona, ku gruaja e tij ka patur 15% të aksioneve, të cilat më pas i ka shitur apo dhuruar. Hetimi për zbulimin e kësaj skeme nga SPAK nisi paralelisht me dosjen e sterilizimit ku ish-ministri i Shëndetësisë është po në akuze për shpërdorim detyre.
Tv Klan