Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Burg pa afat për Eduard Keçin, i ndaluar dy ditë më parë me akuzën vrasje në bashkëpunim të Bernardo Joakim, vrarë tre vjet më parë në Tiranë. Seanca ka qenë krejt formale, pasi 25 vjeçari nuk ka folur dhe gjeneralitetet e tij është detyruar t’i pohojë avokati Enver Mema.

Prokurorja e çështjes Rovena Gashi ka dhënë përpara gjykatës, si provë për akuzën e ngritur, një ekspertizë të shenjave të gishtave të të pandehurit, që përputhen me disa shenja gishtërinjsh të gjetura në objekte të përdorura në mbytjen e priftit Joakim.

Shtetasi me pasaportë spanjolle prezantuar si prift dhe që gjendej në Shqipëri në Majin e vitit 2000, me statusin e vëzhguesit ndërkombëtar për zgjedhjet, u vra duke u mbytur me një peshqir. Duart e tij ishin të lidhura me këmbët me një stil të vështirë, por që bëri agjentët kriminal të mendonin se kjo lidhje e kufomës mbarte me vete elementë të ekzekutimit me një motiv të caktuar, të panjohura për kriminalitetin shqiptar.

Megjithëse i prezantuar si prift, në çantën e tij të punës u gjetën mjaft kartëvizita të shërbimeve sekrete të disa vendeve të Europës Juglindore. Kjo bëri që të dyshohej, se misioni i qëndrimit të Joakim në Tiranë ka të bëjë dhe me zbulimin e disa të dhënave sekrete për rrjete ndërkombëtare, që vepronin transit edhe në Shqipëri dhe kryesisht rrjete të trafikimit ndërkombëtar të drogës.

Motivet seksuale të krimit të 8 Majit të vitit 2000, u ngritën pas ngjarjes, duke u nisur thjeshtë nga gjetja e disa korrave viagra në çantën e tij dhe nga dëshmi të banorëve të apartamentit, që kishin dëgjuar të qeshurat e një vajze. Por tre vjet pas ngjarjes, burime të rezervuara nga prokuroria përjashtojnë një pistë të tilllë. Ndërsa agjentë të hetimit po kërkojnë të gjejnë dhe lidhje të mundshme të të arrestuarit Eduard Keçi.

Disa javë më parë një tjetër i ri me mbiemrin Keçi, u ndalua me një sasi të madhe heroine, si anëtar i një rrjeti që transportonte heroinë nëpër Europë./tvklan.al